Shkencëtarët amatorë dhe anëtarët e tjerë të publikut mund të japin një kontribut të rëndësishëm në monitorimin e kafshëve grabitqare të mëdha dhe të çakajve të artë, veçanërisht nëpër peizazhet e ndryshme dhe shpesh të fragmentuara të Rajonit Adriatik-Jon. Banorët lokalë, gjahtarët, pylltarët, stafi i zonave të mbrojtura, rojet, shëtitësit, fermerët, fotografët, organizatat natyrore dhe vëzhuesit e tjerë të trajnuar mund të ofrojnë informacione të vlefshme mbi paraqitjen, shpërndarjen, lëvizjet, vdekshmërinë, riprodhimin dhe ndryshimet në zonat ku monitorimi sistematik është i vështirë ose burimet janë të kufizuara.
Bashkëpunimi efektiv duhet të bazohet në role të qarta, respekt të ndërsjellë, komunikim transparent dhe njohje të kontributit të të gjithë pjesëmarrësve. Shkencëtarëve-qytetarë duhet t’u ofrohet udhëzim i qartë për llojet e vëzhgimeve që janë të dobishme, si dhe ku dhe në cilën formë duhet t’i dorëzojnë të dhënat, dhe cilat informacione duhet të përfshihen në raport. Në të njëjtën kohë, studiuesit dhe organizatat që merren me ruajtjen e natyrës duhet të ofrojnë komente të përshtatshme dhe të shpjegojnë se si vëzhgimet e dorëzuara kontribuojnë në monitorim dhe ruajtje.
Të dhënat e mbledhura nga qytetarët duhet të vlerësohen duke u aplikuar të njëjtat parime të përgjithshme të cilësisë dhe vërtetimit të të dhënave, të cilat aplikohen edhe për informacione të tjera të monitorimit. Fotografitë, videot, gjurmët, shenjat, kërmat, vëzhgimet direkte dhe prova të tjera mund të ofrojnë informacione të vlefshme, por besueshmëria e tyre mund të ndryshojë. Prandaj, të dhënat duhet të shqyrtohen nga personel i trajnuar në mënyrë adekuate, përpara se të përdoren në analiza shkencore, vlerësime zyrtare të monitorimit ose në vendime të menaxhimit. Vëzhgimet e pakonfirmuara duhet të ruhen aty ku janë të dobishme, por duhet të identifikohen qartë si të paverifikuara.
Pjesëmarrja nuk duhet kurrë të inkurajojë njerëzit që të afrohen, të ndjekin, të gjuajnë, të ushqajnë, të provokojnë, të thërrasin ose në çdo mënyrë tjetër të shqetësojnë kafshët e egra, me qëllim që të marrin vëzhime ose fotografi. Shkencëtarët-qytetarë duhet të inkurajohen të vëzhgojnë kafshët nga një distancë e sigurt dhe e përshtatshme dhe të respektojnë zonat e mbrojtura, pronën private, kufizimet sezonale dhe rregulloret e tjera të zbatueshme. Kujdes i veçantë duhet treguar në afërsi të strehëve, vendeve të riprodhimit, vendeve të pushimit, trupave të kafshëve të ngordhura dhe zonave të tjera të ndjeshme.
Informacionet personale dhe vendet e rëndësishme për jetën e egër, të mbledhura përmes aktiviteteve të shkencës qytetare, duhet të trajtohen me përgjegjësi. Kontribuuesit duhet të informohen se si vëzhgimet dhe fotografitë e tyre mund të ruhen, përdoren, shpërndahen ose botohen, veçanërisht kur regjistrimet përmbajnë vendndodhje të sakta ose persona të identifikueshëm.
Duhet mbështetur pjesëmarrja afatgjatë përmes trajnimeve, mekanizmave të aksesueshëm për raportim, marrjeje të komenteve dhe njohjeje adekuate të kontributeve. Shkenca qytetare duhet të konsiderohet jo thjesht si një burim i informacioneve të reja, por si një qasje bashkëpunuese që mund të forcojë njohuritë lokale, pjesëmarrjen e publikut, besimin në programet e monitorimit dhe ruajtjen e kafshëve të mëdha mishngrënëse dhe çakejve të artë.
Rolet dhe përgjegjësitë
Shkencëtarët amatorë mund të ofrojnë kontribute të vlefshme në monitorimin e kafshëve grabitqare të mëdha dhe të çakajve të artë, veçanërisht në zonat ku monitorimi i vazhdueshëm është i kufizuar nga shtrirja gjeografike, aksesueshmëria, burimet e disponueshme ose personeli. Banorët lokalë, gjahtarët, pylltarët, stafi i zonave të mbrojtura, rojet, fermerët, shëtitësit, fotografët, organizatat natyrore dhe anëtarë të tjerë të interesuar të publikut mund të kontribuojnë me vëzhgime dhe informacione të tjera relevante.
Roli i studiuesve dhe i shkencëtarëve-qytetarë duhet të përcaktohet qartë që në fillim të një aktiviteti monitorimi. Studiuesit dhe organizatat që merren me ruajtjen e natyrës duhet të ofrojnë udhëzime të qarta për llojin e informacionit të nevojshëm, metodat e përshtatshme të vëzhgimit dhe raportimit, si dhe përdorimin e parashikuar të të dhënave të paraqitura. Shkencëtarët-qytetarë duhet të ndjekin procedurat e miratuara dhe nuk duhet të ndërmarrin aktivitete që mund të shqetësojnë kafshët ose të komprometojnë besueshmërinë e monitorimit.
Shkenca qytetare duhet të plotësojë, dhe jo të zëvendësojë, monitorimin sistematik shkencor. Observimet e realizuara nga qytetarët mund të ofrojnë informacione veçanërisht të dobishme për shpërndarjen e specieve, zgjerimin e arealit, raste të pazakonta, vdekshmërinë, dëshmi për riprodhim dhe ndryshime në zona që nuk monitorohen rregullisht nga ekipet profesionale. Megjithatë, duhet të pranohen kufizimet dhe mundësitë e paraqitjes së anomalive të informacioneve kur këto të dhëna interpretohen.
Shkencëtarët duhet t’i trajtojnë qytetarët që marrin pjesë në kërkime si kontribues në procesin e monitorimit dhe duhet të mbajnë një komunikim të respektueshëm dhe transparent. Kontribuesit duhet të informohen se si do të përdoren vëzhgimet e tyre dhe, kur është e përshtatshme, për rezultatet ose veprimet e ruajtjes që mbështeten nga kontributet e tyre.
Raportimi, Cilësia e të Dhënave dhe Verifikimi
Shkencëtarët amatorë duhet të kenë akses në procedura të thjeshta dhe të shpjeguara qartë për të paraqitur vëzhgimet e tyre. Sistemet e raportimit mund të përfshijnë platforma online, aplikacione celulare, forma të posaçme, komunikim me studiuesit ose organizatat që merren me ruajtjen e natyrës, ose mekanizma të tjerë të përshtatshëm për zonën.
Raportet duhet të përfshijnë informacione të mjaftueshme që të mund të vlerësohet vëzhgimi. Kur është e mundur, raporti duhet të përfshijë llojin, datën dhe orën e përafërt, vendndodhjen, llojin e provës, rrethanat e vëzhgimit dhe informacione rreth vëzhguesit. Fotografitë ose videot duhet të paraqiten kur janë të disponueshme dhe të përshtatshme. Kontribuuesit duhet të inkurajohen të raportojnë vëzhgimet sa më saktë që të jetë e mundur dhe të dallojnë vëzhgimet e drejtpërdrejta nga informacioni i marrë nga persona të tjerë.
Regjistrimet e krijuara nga qytetarët duhet të vlerësohen sipas procedurave të përcaktuara për cilësinë dhe vërtetimin e të dhënave. Fakti që një vëzhgim është paraqitur nga një shkencëtar-qytetar, nuk duhet automatikisht të përcaktojë nëse ai pranohet apo refuzohet. Në vend të kësaj, besueshmëria e provës duhet të vlerësohet duke përdorur të njëjtat parime të përgjithshme që aplikohen për regjistrimet e tjera të monitorimit.
Fotografitë, videot, gjurmët, kërmat, materiali gjenetik, shenjat e gjetura në terren dhe vëzhgimet direkte mund të kenë nivele të ndryshme të vlerës dëshmitare. Kur është e nevojshme, kërkuesit me përvojë ose personeli i trajnuar duhet të shqyrtojnë provat e paraqitura dhe të përcaktojnë statusin e duhur të vërtetimit. Regjistrimet e paqarta ose të pavërtetuara mund të jenë ende të dobishme për hetime të mëtejshme, por ato duhet të dallohen qartë nga regjistrimet e konfirmuara në bazat e të dhënave, analizat dhe raportet.
Të dhënat e mbledhura nga qytetarët në kuadrin e projekteve shkencore mund të kenë anshmëri hapësinore ose kohore, sepse vëzhgimet kanë më shumë gjasa të dërgohen nga zonat që janë të lehta për t’u arritur, që vizitohen shpesh ose që kanë një interes të veçantë për publikun. Këto anshmëri të mundshme duhet të merren në konsideratë kur përdoren të dhënat e mbledhura nga qytetarët për vlerësimin e shpërndarjes ose për analiza të tjera.
Trajnimi, siguria dhe vëzhgimi etik i kafshëve të egra
Shkencëtarët amatorë duhet të marrin udhëzime të përshtatshme përpara se të marrin pjesë në aktivitete që përfshijnë vëzhime ose mbledhjen e të dhënave për monitorim. Trajnimi nuk duhet të jetë shumë teknik, por duhet t’u ofrojë pjesëmarrësve informacion të mjaftueshëm për të identifikuar speciet e synuara, për të dokumentuar saktë vëzhimet, për të përdorur mjetet e raportimit dhe për të kuptuar parimet bazë të sigurisë dhe etikës.
Pjesëmarrja nuk duhet kurrë të inkurajojë njerëzit që të afrohen, të ndjekin, të vrapojnë pas tyre, të thërrasin, të ushqejnë, të përdorin karrem ose në çdo mënyrë tjetër të shqetësojnë kafshët e mëdha mishngrënëse ose çakejtë e artë, me qëllim marrjen e fotografive, regjistrimeve video ose provave të tjera. Kafshët duhet të vëzhgohen nga një distancë e sigurt dhe e përshtatshme, dhe sjellja e tyre e zakonshme nuk duhet të ndryshohet qëllimisht.
Duhet treguar kujdes i veçantë në afërsi të vendeve ku jetojnë kafshët, vendeve të riprodhimit, vendeve të pushimit, trupave të kafshëve të ngordhura, vendeve ku kafshët ushqehen ose në zona të tjera ku kafshët mund të jenë të ndjeshme ndaj çdo lloj ndërhyrjeje. Qytetarët-shkencëtarë duhet të inkurajohen të raportojnë vëzhgimet pa u afruar në këto vende ose duke u përpjekur të përcaktojnë vendndodhjen e tyre të saktë.
Pjesëmarrësit duhet të informohen gjithashtu për sjelljen e përshtatshme në zonat e mbrojtura, në pronë private, në zonat e gjuetisë dhe në vende të tjera ku zbatohen rregulla specifike për aksesin ose sigurinë. Ata nuk duhet të hyjnë në zona të ndaluara ose në pronë private pa leje. Duhet të shmangen aktivitetet që përfshijnë mundësinë e përballjeve të rrezikshme me kafshë të mëdha mishngrënëse, dhe pjesëmarrësit duhet të ndjekin udhëzimet lokale përkatëse për sigurinë.
Kur kërkohet që qytetarët-shkencëtarë të mbledhin mostra fizike ose materiale të tjera, kjo duhet të bëhet vetëm kur janë të disponueshme udhëzimet, lejet dhe procedurat e sigurisë të nevojshme. Pjesëmarrësit nuk duhet të përpiqen të mbledhin materiale që mund t’i ekspozojnë ndaj rrezikeve të panevojshme ose të kërkojnë kontakt të drejtpërdrejtë me kafshë ose me trupa të vdekur.
Njohja, komunikimi dhe angazhimi afatgjatë
Programet afatgjata të shkencës qytetare duhet të synojnë të krijojnë një marrëdhënie që bazohet në besim, transparencë dhe përfitim të ndërsjellë. Kontribuuesit duhet të marrin njohje të përshtatshme për përpjekjet e tyre dhe, kur është e mundur, duhet të informohen se si vëzhgimet e tyre kontribuojnë në monitorim, kërkim, menaxhim ose ruajtje.
Njohja mund të përfshijë përmendjen në raportet e monitorimit, faqet e internetit të projekteve, prezantimet, publikimet ose rezultate të tjera të përshtatshme. Forma e njohjes duhet të pasqyrojë natyrën dhe vëllimin e kontributit. Në rastet kur shkencëtarët-qytetarë japin kontribute të konsiderueshme në mbledhjen e të dhënave, interpretimin, zhvillimin e projekteve ose aktivitete të tjera kërkimore, kontributi i tyre duhet të diskutohet qartësisht në kuadrin e bashkëpunimit dhe publikimit përkatës.
Studiuesit dhe organizatat që merren me ruajtjen e natyrës duhet të ofrojnë komente mbi vëzhgimet e paraqitura, sa herë që është e mundur. Edhe nëse një vëzhgim nuk mund të verifikohet, shpjegimi i arsyes përse provat janë konsideruar të pakonfirmuara, mund t’u ndihmojë pjesëmarrësve të përmirësojnë raportimet e tyre të ardhshme dhe të forcojnë cilësinë e përgjithshme të programit të monitorimit.
Komunikimi me shkencëtarët amatorë duhet të shmangë krijimin e pritjeve të parealizueshme për sa i përket sigurisë ose vlerës së menjëhershme për ruajtjen e vëzhgimeve individuale. Rezultatet duhet të komunikohen me saktësi dhe në një formë të kuptueshme, ndërsa informacioni delikat rreth vendeve të kafshëve, individëve të rrezikuar ose çështjeve të tjera të ruajtjes, nuk duhet të bëhet publik pa nevojë.
Programet e shkencës qytetare duhet gjithashtu të inkurajojnë vazhdimësinë e të nxënit dhe pjesëmarrjen përmes trajnimeve, udhëzimeve dhe komenteve të përshtatshme, si dhe duke ofruar mundësi për të marrë pjesë. Ndërtimi i një rrjeti të vëzhuesve lokalë të informuar mund të sjellë përfitime afatgjata për identifikimin e hershëm të ndryshimeve në shpërndarjen e specieve, identifikimin e konflikteve të reja midis njerëzve dhe kafshëve të egra, dhe një kuptim më të gjerë të publikut për ruajtjen e kafshëve të mëdha mishngrënëse dhe të çakallit të artë.
Parimi kryesor duhet të jetë se shkenca qytetare forcon monitorimin profesional përmes vëzhgimeve dhe njohurive lokale, duke ruajtur njëherësh besueshmërinë shkencore, mirëqenien e kafshëve, sigurinë e pjesëmarrësve, privatësinë dhe trajtimin e përgjegshëm të informacioneve të ndjeshme.