Një fotograf i natyrës së egër, i veshur me një bluzë me ngjyra kamuflazhi, mbart një lente teleobjektiv të montuar në një stativ mbi shpatull, ndërsa sheh një zonë malore.

Xhirimet, fotografimi dhe përdorimi i dronëve

Fotografitë dhe videot mund të përmirësojnë dukshëm kuptimin e publikut për kafshët e mëdha mishngrënëse dhe përpjekjet për ruajtjen e tyre. Megjithatë, afrimi me kafshët për të marrë pamje më të mira, ndjekja e vazhdueshme e tyre, përdorimi i dritës artificiale ose operimi i dronëve në afërsi mund të shqetësojë jetën e egër dhe mund të rrisë rrezikun e një përballjeje negative. Profesionistët e mediave duhet të japin përparësi mirëqenies së kafshëve, sigurisë së njerëzve dhe rregullave të zbatueshme për jetën e egër, para se të përpiqen të marrin imazhe tërheqëse.

Prania e kamerave mund të ndikojë gjithashtu në sjelljen e kafshëve. Një kafshë grabitqare, e cila afrohet vazhdimisht, mund të ndryshojë lëvizjet, të braktisë një vend ku pushon ose të stresohet. Femrat me të vegjël dhe kafshët në vendet ku ushqehen ose ku kanë strehën, mund të jenë veçanërisht të ndjeshme ndaj çdo ndërhyrje.

Për këtë arsye, xhirimet profesionale duhet të planifikohen paraprakisht, sa herë që është e mundur, dhe të realizohen duke respektuar distancat, duke përdorur pajisjet dhe duke marrë lejet e nevojshme.

Mbani një distancë të sigurt dhe të respektueshme

Mos u afruoni kurrë me një kafshë grabitqare të madhe, vetëm për të marrë një foto ose video më nga afër. Nëse një kafshë ndryshon sjelljen e saj për shkak të pranisë së fotografit ose të ekipit kinematografik, kjo mund të jetë një shenjë se distanca është shumë e vogël ose aktiviteti po shkakton shqetësim.

Kur është e mundur:

  • përdorni lente teleobjektiv, në vend që të afroheni te kafshët;
  • evitoni të bllokoni rrugën e arratisjes së një kafsheje;
  • mos e rrethoni ose mos e shtyni kafshën në një cep;
  • mos e ndiqni një kafshë;
  • evitoni të afroheni pranë vendeve ku gjinden kafshët, vendeve ku ato pushojnë ose pranë femrave që kanë të vegjël.
  • reduktoni zhurmën dhe lëvizjet e papritura;
  • evitoni përdorimin e ndriçimit artificial, përveç në raste të veçanta kur është i justifikuar dhe i lejuar.
  • mos e nxisni një kafshë që të afrohet te njerëzit ose te automjetet për qëllime filmimi;
  • ndiqni udhëzimet e organeve përgjegjëse për jetën e egër dhe të stafit të zonave të mbrojtura.

Përdorimi i dronëve kërkon kujdes të veçantë. Dronët mund të shqetësojnë jetën e egër përmes zhurmës dhe lëvizjeve të afërta në ajër, dhe disa specie mund të reagojnë fuqishëm ndaj tyre. Përdorimi i tyre mund të jetë i kufizuar ose i ndaluar në zonat e mbrojtura ose nën rregulloret kombëtare ose lokale. Operatorët duhet të marrin të gjitha lejet e nevojshme dhe të respektojnë distancat minimale dhe kushtet e përcaktuara të funksionimit.

Profesionistët e mediave duhet gjithashtu të marrin në konsideratë sjelljen që pamjet e tyre mund të nxisin në mesin e shikuesve. Imazhet që tregojnë njerëz që qëndrojnë shumë pranë kafshëve të egra mishngrënëse mund të sugjerojnë, pa dashje, se një sjellje e tillë është e sigurt ose e pranueshme. Përshkrimet duhet të sqarojnë qartë kur pamjet janë filmuar në kushte të kontrolluara ose nga një distancë e autorizuar.

Nëse po filmohet një situatë konflikti në vazhdim, përparësia duhet t’i jepet sigurisë së njerëzve dhe shmangies së çdo shqetësimi të mëtejshëm, dhe jo marrjes së pamjeve me çdo kusht. Një pamje e fortë nuk duhet të jetë kurrë më e rëndësishme se mirëqenia e njerëzve ose e kafshëve.